Gazetarja dhe bashkëshortja e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Anita Muçaj Haradinaj, ka ndarë një rrëfim personal për njohjen e saj me liderin politik, në një intervistë për emisionin “S’e Luan Topi” me gazetaren Erjona Rusi.
Anita tregoi se takimi i parë mes tyre ndodhi gjatë një interviste në Radio Kosova, kur Haradinaj ishte i ftuar në studio dhe iu drejtua me pyetjen: “Goca e kujt je ti?”. Ajo tregon se përgjigjja e saj, në mënyrë spontane, ishte “jam goca e Mustafës”, duke menduar se njiheshin familjarisht.
Rastësia e solli që më pas të takoheshin sërish, këtë herë në ambientet e Koha Vizion, ku filloi edhe njohja më e afërt. “Ai ishte ndryshe, më pëlqen gjithçka që është e vështirë. Më pëlqen të sfidohem. Dhe Ramushi ishte një djalë i pjekur, me një shpirt aventurier, pa rutinë. Nuk e dije kur do flije apo ku do ishe”, tha Anita me një buzëqeshje të qartë në kujtime.
Por ndoshta më befasuesi në rrëfimin e saj ishte zbulimi i një ane më pak të njohur të Ramush Haradinajt – romantizmi i tij.
“Është shumë romantik, madje më shumë se unë. Gjithçka e ka me shumë delikatesë, me shumë elegancë. Më ka sjellë edhe mëngjesin në shtrat. Edhe lule…”, tha ajo, duke theksuar se edhe pas shumë vitesh martesë, surprizat dhe kujdesi nuk kanë munguar.
Rrëfimi i Anitës vjen si një dëshmi e një lidhjeje të ndërtuar mbi respektin, sfidat dhe emocionet, duke hedhur dritë mbi një anë më njerëzore të një figure publike shpesh të njohur vetëm për rolin e tij në politikë.






