Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me konfliktin e dhunshëm të ndodhur në orët e vona në klubin e njohur të natës “Lollipop” në Palasë. Burime për mediat bëjnë me dije se në përplasje janë përfshirë Alban Papushi dhe Valter Përshpalaj, dy persona me të shkuar dhe profile të ndryshme.
Sipas informacioneve, Papushi është i njohur në fushën e biznesit, ku administron një pikë këmbimi valuator dhe një shoqëri automjetesh. Ndërsa Valter Përshpalaj rezulton të ketë precedentë penalë të mëparshëm në Shqipëri dhe në Itali. Ai ka qenë në kërkim në vitin 2021 për “moskallëzim krimi” dhe “plagosje të lehtë”, ndërsa në vitin 2015 është përfshirë në një vjedhje vile në shtetin fqinj.
Ngjarja në “Lollipop” raportohet të ketë nisur në zonën VIP të klubit, ku një përplasje mes disa të rinjve ka degjeneruar në dhunë fizike. Fillimisht janë përdorur sende të forta, gota e objekte të tjera përreth, ndërsa dëshmitarët në vendngjarje pretendojnë se më pas janë dëgjuar të shtëna armësh.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, Policia e Vlorës nuk ka konfirmuar zyrtarisht përdorimin e armëve, duke sqaruar se bëhet fjalë për një sherr ku një person ka mbetur i plagosur lehtë në përpjekje për t’u larguar nga ambienti. Sipas policisë, personi është dëmtuar për shkak të rrëzimit mes turmës që po largohej me nxitim.
Panik i madh është shkaktuar mes të pranishmëve, me shumë prej tyre që kanë pësuar lëndime të lehta gjatë përplasjes apo përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Forcat e rendit mbërritën në vend pas sinjalizimeve të shumta, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vazhdojnë. Nuk dihet ende nëse janë sekuestruar armë apo janë bërë shoqërime nga policia.






