Një valë vdekjesh ka tronditur Argjentinën, pasi numri i viktimave nga fentanili i kontaminuar, i administruar në disa spitale, ka kaluar shifrën 100.
Qeveria konfirmoi lajmin duke identifikuar një laborator farmaceutik lokal si burimin e kësaj masakre shëndetësore. Prej muajit maj, autoritetet kanë hetuar se sa vdekje lidhen drejtpërdrejt me furnizimet e ndotura të përdorura në spitalet e katër provincave dhe në kryeqytetin Buenos Aires.
Sipas agjencisë rregullatore farmaceutike të vendit, laboratori në fjalë ishte mbyllur tre muaj para se të regjistroheshin vdekjet e para – një detaj që ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën se si substancat arritën të përfundonin në duart e spitaleve.
Hetimet vijojnë, ndërsa familjet e viktimave dhe opinioni publik kërkojnë përgjigje dhe drejtësi për atë që po konsiderohet si një nga skandalet më të rënda shëndetësore në historinë e Argjentinës.






