Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e 7 tetorit në rrugën pas ndërtesës së Komunës së Kumanovës, ku Zekrija Shaini, 43 vjeç, kandidat dhe bartës i listës së këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Likovë për zgjedhjet lokale të 19 tetorit, u qëllua me armë zjarri nga një makinë në lëvizje.
Shaini, i cili është gjithashtu punonjës në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup, u dërgua menjëherë në spitalin e Kumanovës për trajtim mjekësor.
Zyra e Prokurorisë Publike njoftoi se hetimet për ngjarjen janë duke vazhduar. Sipas indikacioneve të para, nuk duket të ketë motive politike, por po hetohen të gjitha rrethanat. Një person është ndaluar lidhur me të shtënat, ndërsa sulmuesi kryesor është ende në kërkim.
BDI-ja njoftoi se, në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për shkak të seriozitetit të ngjarjes, të gjitha aktivitetet e planifikuara për sot janë pezulluar.






