Balerini i njohur Gerd Vaso ka folur për herë të parë me sinqeritet të plotë për martesën dhe divorcin me ish-bashkëshorten e tij, Enada Hoxha, duke zbuluar detaje që, siç thotë ai vetë, “askush nuk i dinte më parë”.
I ftuar në podcastin e Grida Dumës, Vaso rrëfeu se gjatë gjithë marrëdhënies ishte Enada ajo që merrte vendimet në çift.
“Enada ka qenë gjithmonë shumë e rreptë dhe vendimtare. Ajo merrte vendimet për shumicën e gjërave në çift. Unë asnjëherë nuk kam marrë vendime, por pranoja ato që ajo merrte,” – tha balerini.
Në rrëfimin e tij emocional, ai pranoi se ndarja nuk erdhi si pasojë e një konflikti të menjëhershëm, por si rezultat i ndryshimeve të brendshme dhe sakrificave personale që ai bëri gjatë viteve të bashkëjetesës.
“Në qoftë se në një moment të caktuar Nada humbi Gerdin, unë gjatë rrugëtimit tim humba shumë gjëra – personalitetin tim, dinjitetin tim, karakterin tim, Gerdin që isha i vërteti, ai që qeshte me miq e shokë.”
Balerini pranoi se dashuria dhe profesioni ishin dy shtyllat që e shtynë të sakrifikonte veten:
“Dola nga vetja ime për dashurinë, dola nga vetja ime për profesionin, për karrierën.”
Ai shtoi se bashkëpunimi në art e bëri lidhjen edhe më të vështirë me kalimin e viteve:
“Në fillim është e bukur të punosh bashkë, por pastaj bëhet e vështirë. Unë nuk kisha ego për profesionin, për mua kishte një kufi. Enada e dashuronte baletin në ekstrem.”
Ky është një nga rrëfimet më të ndjera dhe të sinqerta të një prej figurave më të dashura të baletit shqiptar, që hedh dritë mbi sfidat e balancimit mes dashurisë, artit dhe identitetit personal.






