Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë sot me një njoftim zyrtar, duke bërë me dije se Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është zyrtarisht e akuzuar për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Në deklaratën e SPAK-ut thuhet se procedimi penal nr.136 i vitit 2025, i bashkuar me procedimet nr.167 dhe nr.181 të vitit 2024, lidhet me hetimin e tenderit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum–Himarë, pjesë e aksit Vlorë–Sarandë (SH8).
“Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025, i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, në bashkëpunim,” — thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK-ut.
Sipas organit të akuzës, faktet penale që i ngarkohen ministres lidhen me veprimet e kryera në cilësinë e saj si drejtues politik i dikasterit të infrastrukturës, në lidhje me procedurën e prokurimit publik të zhvilluar më 11 dhjetor 2020, e cila u anulua dhe më pas u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 18.9 miliardë lekësh pa TVSH.
SPAK sqaroi se më 21 tetor 2025, i ka njoftuar zyrtarisht të pandehurën për akuzën, ndërsa Balluku ka kërkuar shtyrjen e paraqitjes për shkak të pamundësisë objektive.
Pas kësaj, me shkresën nr. 37881 datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme caktoi një datë të re për paraqitjen e saj, më 31 tetor në orën 15:00, ku ministrja është paraqitur në institucion për të marrë dijeni mbi akuzën.
Hetimi për këtë tender është një nga çështjet më të rëndësishme që po ndjek SPAK, për shkak të vlerës së lartë financiare dhe dyshimeve për shkelje të konkurrencës së ndershme mes operatorëve ekonomikë gjatë procesit të përzgjedhjes së ofertës fituese.
Burime brenda hetimit konfirmojnë se dosja është në fazën paraprake të hetimeve, ndërsa pritet që SPAK të marrë në pyetje edhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në procedurën e prokurimit të tunelit strategjik të Llogarasë — një projekt me rëndësi të lartë për infrastrukturën turistike të jugut të vendit.






