68-vjeçari Hysni Patushi është marrë në pyetje nga grupi hetimor pas ngjarjes së rëndë, ndërsa në dëshminë e tij ka folur për konfliktet e herëpashershme me bashkëshorten, Lumturie Patushi.
Sipas dëshmisë së tij, konfliktet mes çiftit lindnin pasi Lumturie Patushi qëndronte te shtëpia e vajzës dhe jo në banesën e tyre në zonën e “Don Boskos”.
68-vjeçari u ka deklaruar hetuesve se i kërkonte gruas të kthehej në shtëpinë e tyre, por ajo nuk pranonte.
Paraditen e sotme, sipas versionit të dhënë prej tij, Patushi e ka telefonuar bashkëshorten dhe ajo i ka thënë se ndodhej te TEG-u. Më pas, 68-vjeçari ka shkuar në shtëpinë e vajzës, ku e ka gjetur bashkëshorten.
Sipas dëshmisë së tij, ai pretendon se Lumturie Patushi e kishte gënjyer për vendndodhjen e saj dhe mes tyre ka nisur një debat.
“Në debat e sipër e kam goditur me thikë në zemër”, citohet të ketë dëshmuar Hysni Patushi para grupit hetimor.
Deklarimet e 68-vjeçarit janë pjesë e hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa autoritetet vijojnë punën për dokumentimin e saj.





