Një influencuese 21-vjeçare është nxjerrë me forcë nga banesa e saj dhe është qëlluar për vdekje para syve të babait, vetëm pak ditë pasi ishte liruar nga paraburgimi.
Evelyn Lima Dantas, e cila kishte më shumë se 150 mijë ndjekës në rrjetet sociale, publikonte video që lidhen me jetën e përditshme, bukurinë dhe fitnesin. Në të njëjtën kohë, ajo po hetohej nga autoritetet për përfshirje të dyshuar në vrasjen e një ish-polici në verilindje të Brazilit.
Sipas dëshmisë së babait të saj, ngjarja ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesit të së mërkurës, kur dy persona hynë me forcë në banesën e familjes. Ata e nxorën 21-vjeçaren jashtë dhe e qëlluan disa herë.
Në vendngjarje, autorët shkruan me bojë spraj shkronjat “TCP”, akronim që i referohet grupit kriminal Terceiro Comando Puro (Third Pure Command), një prej fraksioneve kriminale të njohura në Brazil.
Dëshmitarët deklaruan se autorët u larguan me një automjet përpara mbërritjes së policisë. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën trupin e 21-vjeçares në trotuar, të mbuluar me një çarçaf.
Vrasja ndodhi ndërsa vijonin hetimet për ekzekutimin e ish-policit Antonio Anildo Alves da Silva, 56 vjeç, i cili u qëllua për vdekje më 29 korrik nga katër persona me fytyra të mbuluara, jashtë një supermarketi.
Hetuesit dyshonin se Dantas kishte ndihmuar autorët e vrasjes së ish-policit dhe ajo ishte arrestuar në korrik. Megjithatë, 21-vjeçarja u lirua përkohësisht më 9 shtator, rreth një javë para se të vritej.
Sipas policisë, Dantas ishte e njohur edhe më herët për autoritetet, pasi ishte arrestuar në një rast të mëparshëm nën dyshimin për trafik droge në interes të një grupi kriminal.
Policia ka nisur hetimet për vrasjen e saj dhe po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Megjithatë, autoritetet kanë theksuar se ende nuk mund të konfirmojnë nëse grupi i përmendur në mbishkrimin “TCP” ka pasur realisht rol në ekzekutim.
Një nga pistat kryesore të hetimit është mundësia që vrasja të ketë qenë një akt hakmarrjeje ose një përpjekje për të eliminuar gjurmë të lidhura me një veprimtari kriminale.
“Po punojmë me hipotezën e një tentative për të mbuluar gjurmët ose të një hakmarrjeje nga ndonjë fraksion kriminal”, tha Rodrigo Lopes për gazetarët.





