Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, u takua sot me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, dhe anëtarët e KLP-së, për të diskutuar mbi funksionimin dhe rolin e këtij institucioni.
Bergner nënvizoi rëndësinë e KLP-së në ruajtjen e pavarësisë, integritetit dhe efikasitetit të prokurorive, duke vlerësuar punën e përkushtuar të anëtarëve të tij. Ai gjithashtu inkurajoi Këshillin të vijojë aktivitetin e tij me përgjegjësi dhe vetëdije profesionale.
Një fokus i veçantë i takimit ishte zgjedhja e pasardhësit të Altin Dumanit, kreu aktual i Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Bergner theksoi se nën drejtimin e Dumanit, SPAK ka arritur suksese të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se është thelbësore që kjo linjë të vazhdojë.
“Nën drejtimin e Altin Dumanit, SPAK ka arritur suksese jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit të të gjitha niveleve dhe krimit të organizuar. Është e rëndësishme që të vazhdojë të mbahet ky kurs. Ne kemi besim, se zgjedhja e ardhshme do të zhvillohet në mënyrë transparente dhe se çdo anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të orientohet në vendimin e tij vetëm prej përgatitjes profesionale të kandidatëve dhe integritetit të tyre të padiskutueshëm”, theksoi Bergner.






