Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është ndalur te reforma territoriale, duke deklaruar se opozita ka kërkuar vazhdimisht dialog dhe procese konsensuale, në përputhje me vlerat dhe rregullat e Bashkimit Europian.
Bardhi hodhi poshtë pretendimet për bojkot, duke theksuar se PD nuk ka munguar qëllimisht në mbledhjet për reformën. Sipas tij, në dy datat e përcaktuara për zhvillimin e takimeve, anëtarët e opozitës nuk kanë qenë të pranishëm për shkak të angazhimeve të mëparshme, të cilat i cilësoi si arsye objektive dhe të justifikuara.
Ai nënvizoi se këto mungesa nuk përbëjnë bojkot politik, por pamundësi fizike për shkak të detyrimeve të tjera.
Në deklaratën e tij, Bardhi kritikoi mazhorancën për mungesë vullneti për dialog dhe akuzoi se opozita po përdoret vetëm për të krijuar një fasadë normaliteti.
“Ne kërkojmë procese konsensuale dhe mekanizma dialogu, sipas frymës së rekomandimeve të BE-së. Ju thoni jo dhe vazhdoni të bëni çfarë të doni. Për çfarë ju duhet opozita në tryezë? Për të shitur idenë se gjithçka funksionon normalisht. Jo, nuk është asgjë normale dhe këtë e dinë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë,” u shpreh Bardhi.






