Këngëtarja shqiptare Ganimete Abazi, e njohur si Ganja, ndan me publikun një humbje të thellë: nipi i saj, Lorik Abazi, 22 vjeç, u vra gjatë një sherri me thikë në Croydon, Angli.
Në një mesazh prekës në Instagram, Ganja shkruan:
“Ahhh bre sa e vështirë me ta thënë lamtumirë, Loriku ynë. Jeta shpeshherë është e padrejtë dhe godet aty ku dhemb më së shumti. Pusho në paqe, nipi jem, shpirti jem. Ne do të jetojmë me dhimbjen për ty, me kujtimet dhe dashurinë që na dhe”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:15 të mëngjesit të së dielës në Parkun Tregtar Valley në Hesterman Way, ku 22-vjeçari u gjet i plagosur me thikë. Ai u transportua menjëherë në spital, por përpjekjet e mjekëve nuk dhanë rezultat.
Sipas raportimeve të BBC, tre persona janë arrestuar lidhur me ngjarjen: dy vajza 25-vjeçare dhe një burrë 28-vjeçar. Njëra nga vajzat është liruar me kusht. Gjithashtu, janë arrestuar katër persona të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në përleshje.
Komuniteti shqiptar në Angli mbetet i tronditur, ndërsa familjarët po përballen me dhimbjen e madhe të humbjes së Lorikut.






