TIRANË – Kryetari i Partisë ‘Mundësia’, Agron Shehaj, akuzoi sot ministren e Jashtme, Elisa Spiropali, dhe mazhorancën se nuk veprojnë në interes të shqiptarëve dhe të shtetit gjatë një seance plenare në Kuvend.
Duke komentuar praninë e Kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes, Shehaj u shpreh se ministrat dhe deputetët socialist “ishin në shok, dridhej mazhoranca nga ankthi me sytë në telefon. Do e shpëtonte Trump-Ramën, apo jo?”.
Shehaj kritikoi Spiropalin për “konflikt të pastër interesi”, duke theksuar se ndërsa interes i shqiptarëve është integrimi në Bashkimin Europian dhe mbështetja e drejtësisë, mazhoranca po bën të kundërtën: “Ju nuk po ndiqni interesin e shqiptarëve, po ndiqni interesin tuaj. Po merreni me drejtësinë, po sulmoni drejtësinë, po bëni ligje për të kufizuar dhe për t’i shpëtuar drejtësisë”.
Ai shtoi se edhe ambasadorët e akredituar janë më të interesuar për shqiptarët sesa deputetët e zgjedhur me votë, të cilët sipas tij “kanë frikë nga drejtësia”. Shehaj paralajmëroi se sulmet e Qeverisë dhe mazhorancës kundër drejtësisë po pengojnë përparimin europian të vendit dhe akuzoi mazhorancën se po mbron të korruptuarit që po hetohen nga SPAK, duke lënë të kuptohet se hetimet mund të shtrihen shumë shpejt edhe në zyrën e kryeministrit.






