Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Astrit Vladit dhe ish-oficeres së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Erjona Daupaj, të akuzuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm” si edhe “korrupsion pasiv dhe aktiv të gjyqtarit”.
Të dy prej më shumë se një viti rezultojnë në kërkim. Në të njëjtën dosje u përfshi edhe ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, i cili nga Shkalla e Parë është dënuar me 2 vite e 8 muaj burg. Po ashtu, si pjesë e grupit, me të njëjtën masë dënimi u ndëshkua edhe avokati Radovan Çela.
Sipas SPAK-ut, të dyshuarit kanë ndërhyrë duke marrë dhe dhënë ryshfet funksionarëve të drejtësisë në tetë çështje penale. Katër prej tyre lidhen me dosjen e njohur “Toyota Yaris”, që fillimisht ishte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe më pas në Gjykatën e Tiranës, si në fazën e hetimeve paraprake ashtu edhe në hetimet pasurore ndaj personave të akuzuar.
Nga hetimi i drejtuar nga kryeprokurori i SPAK-ut, Klodian Braho, janë zbardhur komunikime në platformat “SKY ECC” dhe “EnchroChat”. Sipas dosjes hetimore, ish-prokurori Aurel Zarka ka përdorur katër kode komunikimi, përmes të cilave dyshohet se komunikonte me Daupajn në këto aplikacione.
Mes çështjeve të tjera ku pretendohet të jetë ushtruar ndikim është edhe hetimi pasuror ndaj Suel Çelës, i nisur në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
SPAK thekson se procedimi penal do të vijojë në gjykatë, ndërsa hetimet kanë synuar goditjen e korrupsionit në sistemin e drejtësisë.






