Një çarje në pjesën anësore të rrugës është evidentuar që prej mëngjesit të kësaj të marte në segmentin Boboshticë–Dardhë, duke kufizuar lëvizjen e mjeteve vetëm në një korsi.
Në vendngjarje ka shkuar Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili po vlerëson situatën dhe po shqyrton masat që duhen marrë për stabilizimin e segmentit. Ndërkohë, janë vendosur sinjalistika kufizuese për të orientuar drejtuesit e mjeteve dhe për të garantuar sigurinë në qarkullim.
Kjo problematikë vjen në një kohë kur në disa rrugë të juglindjes janë shfaqur rrëshqitje dherash dhe çarje të asfaltit, duke ngritur shqetësime për cilësinë e punimeve dhe standardet e mirëmbajtjes.
Segmenti Boboshticë–Dardhë konsiderohet një nyje e rëndësishme lidhëse mes qytetit të Korçës dhe fshatit turistik të Dardhës, veçanërisht gjatë sezonit turistik, çka e bën situatën edhe më sensitive për qarkullimin dhe ekonominë lokale.






