Një incident i pazakontë sigurie është raportuar në Shtetet e Bashkuara, ku zyrtarët amerikanë kanë konstatuar praninë e disa dronëve të paidentifikuar mbi bazën ushtarake Fort McNair. Në këtë bazë ndodheshin Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe shefi i Pentagonit Pete Hegseth.
Sipas raportimit të The Washington Post, që citon burime të informuara, autoritetet nuk kanë arritur ende të përcaktojnë origjinën e dronëve, ndërsa situata ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë.
Prania e tyre mbi bazën ushtarake ka detyruar zyrtarët të marrin në konsideratë edhe zhvendosjen e dy figurave të larta, megjithatë një vendim i tillë nuk është zbatuar, sipas një zyrtari të administratës amerikane.
Burime të njëjta bëjnë me dije se ushtria amerikane po monitoron më nga afër kërcënimet ajrore, në një kohë kur niveli i gatishmërisë është rritur për shkak të tensioneve të forta në Lindjen e Mesme dhe konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Ndërkohë, zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell, refuzoi të komentojë detaje mbi incidentin, duke theksuar se çdo informacion mbi lëvizjet e zyrtarëve të lartë përbën çështje sigurie.
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet po punojnë për të identifikuar burimin dhe qëllimin e dronëve që fluturuan mbi një nga zonat më të ndjeshme ushtarake në vend.






