Trafiku i cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit është ndalur pas sulmeve masive izraelite në Liban, duke rritur shqetësimet për furnizimin global me energji.
Sipas raportimeve të agjencisë iraniane Fars, ndërprerja e lëvizjes së cisternave ka ndodhur paralelisht me zhvillimet ushtarake, pa u dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet konkrete apo kohëzgjatjen e saj.
Më herët gjatë ditës, dy cisterna u lejuan të kalonin në mënyrë të sigurt, pasi u arrit një armëpushim dyjavor. Ky zhvillim erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump pranoi kushtet e Iranit, në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të garantuar rihapjen e kësaj rruge jetike për tregtinë globale.
Ndërkohë, sulmet izraelite kanë goditur mbi 100 objektiva në Bejrut, Luginën Beqaa dhe jugun e Libanit, duke u cilësuar si ndër operacionet më të mëdha që nga fillimi i ofensivës.
Armëpushimi u arrit pak para skadimit të afatit të vendosur nga Trump për Iranin, i cili kishte paralajmëruar pasoja të rënda në rast se nuk do të arrihej një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.






