Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë vizitës në një kompleks industrial në Durrës, theksoi rëndësinë e zhvillimit të një modeli ekonomik që përqendrohet në përthithjen e investimeve dhe eksportet me vlerë të shtuar.
“Ju përfaqësoni një lloj biznesi që merret me përpunimin dhe nxjerrjen e metaleve të çmuara, një sektor që krijon vlerë të shtuar, eksporton dhe rrit zinxhirin e vlerës në vende të ndryshme të botës,” tha Ibrahimaj, duke shtuar se ndërmarrjet shqiptare tashmë bashkëpunojnë me tregje si Japonia dhe Koreja.
Ministrja shpjegoi se objektivi i Qeverisë është të prodhohen mallra dhe shërbime me një nivel më të lartë përpunimi brenda vendit, duke gjeneruar të ardhura më të larta dhe paga më të mira për punonjësit. Ajo theksoi gjithashtu rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë që nga 1 janari, si dhe trendin e rritjes së pagave në sektorin privat dhe shtetëror.
“Ne synojmë të fuqizojmë biznesin që të eksportojë më shumë mallra të përpunuara dhe që pagat që ofrohen nga bizneset të jenë më të larta,” përfundoi Ibrahimaj.






