Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Wolverhampton, ku dy fëmijë të vegjël kanë humbur jetën pas një zjarri që përfshiu një banesë mbrëmjen e së premtes.
Sipas autoriteteve, shërbimet e emergjencës, përfshirë West Midlands Police, zjarrfikësit dhe ambulanca, u njoftuan rreth orës 20:30 për një zjarr në një shtëpi në Mason Street.
Zjarrfikësit arritën të hynin në banesë dhe të nxirrnin dy fëmijët, por fatkeqësisht ata u shpallën të vdekur në vendngjarje, pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar.
Ndërkohë, dy fëmijë të tjerë dhe një grua që ndodheshin në banesë kishin arritur të largoheshin përpara mbërritjes së shërbimeve të emergjencës dhe, pas kontrollit mjekësor, nuk kanë pasur nevojë për trajtim spitalor.
Zona është rrethuar nga autoritetet, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit janë në vijim. Në një deklaratë, policia e cilësoi ngjarjen si “zemërthyese” dhe shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave.






