Avokati Redi Shima ka komentuar në një studio televizive aspektet ligjore të tragjedisë së rëndë të ndodhur në Durrës, duke sqaruar veprat penale që mund të rëndojnë mbi drejtuesin e mjetit të përfshirë në aksident.
Sipas Shimës, në bazë të Kodi Penal i Shqipërisë, në raste të tilla mund të ngrihen disa akuza njëkohësisht, duke nisur nga shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor me pasoja të rënda.
Ai theksoi se neni 290 i Kodit Penal parashikon dënim nga 5 deri në 20 vjet burg në rastet kur shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor sjell vdekjen e disa personave ose pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e tyre.
Po ashtu, avokati nënvizoi se në këtë rast mund të gjejë zbatim edhe neni 291, që lidhet me drejtimin e mjetit në gjendje të dehur, për të cilin parashikohet dënim nga 10 ditë deri në 3 vite burg.
Një tjetër element penal që mund të merret në konsideratë është edhe neni 273, që parashikon dënim deri në 1 vit burg për largimin nga vendi i aksidentit.
Sipas Shimës, duke iu referuar informacioneve të deritanishme, bëhet fjalë për tre vepra penale të mundshme, ndërsa tashmë pritet që organi i akuzës të kryejë hetimet dhe të përcaktojë përgjegjësitë konkrete për këtë ngjarje të rëndë.






