Një rast i mbuluar nga pasiguria dhe pikëpyetje të shumta po hetohet nga autoritetet amerikane dhe italiane, pas zhdukjes së Elisabetta Tye Ferretto, një grua 50-vjeçare me origjinë nga Italia, e cila jetonte prej vitesh në Nju Jork dhe kishte qenë një nga personat që kishte folur publikisht për takime të dyshuara me financierin Jeffrey Epstein.
Sipas të dhënave të deritanishme, Ferretto rezulton e zhdukur që prej 22 prillit, kur është kthyer në Shtetet e Bashkuara pas një vizite në Itali, ku kishte qëndruar për disa ditë pranë familjes së saj në rajonin e Venetos. Që nga momenti i rikthimit në Manhattan, kontaktet me të janë ndërprerë plotësisht.
Familjarët kanë deklaruar se telefonatat e tyre nuk kanë marrë përgjigje dhe se aktiviteti i saj në rrjetet sociale është ndalur papritur, duke shtuar dyshimet për një zhdukje të pazakontë. Ata kanë bërë denoncim në prokurorinë e Rovigos, e cila ka nisur procedurat hetimore dhe ka njoftuar Ministrinë e Jashtme italiane përmes kanaleve diplomatike.
Ndërkohë, autoritetet në SHBA kanë hapur një hetim paralel për të lokalizuar 50-vjeçaren, por deri më tani pa rezultat konkret.
Elisabetta Ferretto, e lindur në Montagnana në Italinë veriore, kishte jetuar në SHBA që prej vitit 2001. Fillimisht e angazhuar në industrinë e modës, ajo më pas kishte kaluar në sektorin e pasurive të paluajtshme në Nju Jork.
Emri i saj u bë publik në vitin 2019, kur ajo dha dëshmi për një takim të dyshuar me Jeffrey Epstein, duke pretenduar se ishte kontaktuar përmes një agjenti mode me premtimin e bashkëpunimeve me marka të njohura ndërkombëtare.
Hetimet vijojnë, ndërsa rrethanat e zhdukjes së saj mbeten ende të paqarta.






