Situata e tensionuar e krijuar ditët e fundit është diskutuar sërish mes fermerëve, ndërsa Ola ka bërë një reflektim të fortë për sjelljen e saj dhe mënyrën si është perceptuar nga publiku.
Teksa foli përballë banorëve, ajo pranoi se ndihet e rënduar nga ajo që ka ndodhur dhe tha se do të zhgënjehej nëse publiku do ta mbante ende në garë, në rast se ka përcjellë energji negative.
“Nëse unë u kam dhënë energji negative njerëzve, do zhgënjehesha nëse do më mbanin. Dua që nga këtu të dalin figura të pastra e të japin një shembull. Unë nuk e kam bërë. E kam çuar veten në atë pikë që të më gjykojnë dhe nuk mund t’u kthej përgjigje. Kur bën keq, të vret”, u shpreh Ola.
Për situatën reaguan edhe fermerët e tjerë, të cilët dhanë mendimet e tyre mbi ngjarjen e ndodhur të hënën.
Sara tha se ishte ndjerë keq nga ajo që kishte ndodhur, por vlerësoi anët pozitive të Olës.
“Jam ndjerë shumë keq dhe e kam shprehur. Nuk jam ndjerë mirë për situatën. Ola ka shumë vlera dhe mund t’i shpreh”, deklaroi ajo.
Ndërsa Soni u shpreh se edhe vetë Ola e ka kuptuar se reagimi i saj ka qenë i gabuar.
“Edhe vetë e ka kuptuar që ishte një reagim i gabuar. E rëndon përballja me situatën dhe me familjen”, tha ai.
Nga ana tjetër, Moza deklaroi se po pret vendimin e publikut për të vendosur nëse do të ketë një sqarim të mëtejshëm me Olën.
“Po pres vendimin e publikut dhe nëse qëndron do shoh mundësinë për të folur. Nëse nuk krijohet, do e shmang”, u shpreh ajo.






