Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Estonia se Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të mos mbështetet vetëm te qëndrimet apo deklaratat e aktorëve të jashtëm, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump.
Duke folur në konferencën ndërkombëtare “Lennart Meri”, Rama theksoi se Bashkimi Europian duhet të forcojë kapacitetet e veta të mbrojtjes dhe të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, duke ruajtur njëkohësisht kanale komunikimi edhe me Rusinë.
Sipas tij, Europa ndodhet në një fazë të re gjeopolitike, ku duhet të balancojë forcimin ushtarak me ruajtjen e identitetit të saj si projekt paqeje.
“Nuk e kuptoj kur europianët humbin kohë duke analizuar çdo deklaratë të Trump. Duhet të përqendrohen te ndërtimi i një Europe që mbron veten,” u shpreh Rama, duke shtuar se si Rusia ashtu edhe SHBA kanë ndikuar në mënyra të ndryshme në “zgjimin strategjik” të Europës.
Ai theksoi gjithashtu se komunikimi me Moskën është i domosdoshëm, pavarësisht vështirësive.
“Europa duhet të flasë me Vladimir Putin. Kjo nuk do të thotë të mos mbështetet Ukraina, por të kuptohet realiteti gjeopolitik,” tha Rama.
Deklaratat e tij sollën reagim nga kryeministri estonez Kristen Michal, i cili theksoi se siguria europiane nuk mund të kërkohet nga Rusia dhe se problemi kryesor mbetet Kremlini.
“Europa nuk duhet të kërkojë sigurinë e saj nga Putini,” u shpreh Michal, duke nënvizuar se kontinenti po kalon nga një model paqeje pa armë drejt një strukture sigurie më të militarizuar.
Rama iu përgjigj duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për kërkim të sigurisë nga Rusia, por për nevojën e diplomacisë aktive.
“Unë nuk po flas për t’u mbështetur te Putini, por për faktin se diplomacia është e domosdoshme. Rusia ekziston dhe duhet të ketë komunikim,” tha ai.
Debati në panel reflektoi dallimet mes qasjes së disa vendeve europiane për sigurinë dhe mënyrën se si duhet menaxhuar raporti me Rusinë, në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike.






