Policia e Korçës ka zbardhur rrethanat e plagosjes me armë zjarri të 35-vjeçarit Brian Syzo në Pogradec, duke identifikuar katër persona të dyshuar si autorë të ngjarjes, të cilët rezultojnë me precedentë penalë për krime kundër personit.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga kanë rënë Nikolas Agolli, 24 vjeç, banues në Buçimas, dhe David Prifti, 30 vjeç, banues në lagjen nr. 1 të Pogradecit. Ndërkohë janë shpallur në kërkim M. B., 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2, dhe E. A., 22 vjeç, banues në Buçimas.
Sipas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe nën drejtimin e Prokurorisë, katër të dyshuarit dyshohet se, për shkak të konflikteve të mëparshme me 35-vjeçarin, kanë tentuar ta vrasin duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tij, teksa ai ndodhej i parkuar në lagjen nr. 3 të qytetit.
Policia bën të ditur se një prej autorëve kryesorë është lokalizuar dhe arrestuar vetëm pak minuta pas ngjarjes, si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe ndjekjes nga efektivët.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar tre automjete dhe gjashtë aparate celularë, në cilësinë e provës materiale.
I plagosuri vijon të marrë trajtim mjekësor dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.





