Përfaqësuesi ligjor i Niko Qarkajt, avokati Gentian Serjani, ka ngritur akuza të rënda ndaj Policisë së Shtetit, duke pretenduar se klienti i tij është dhunuar gjatë arrestimit dhe nuk ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, pavarësisht se ka pësuar kriza epileptike.
Në një deklaratë për News24, Serjani tha se Qarkaj ndodhet në grevë urie që prej momentit të arrestimit, pasi, sipas tij, e konsideron të padrejtë masën e marrë ndaj tij.
Sipas avokatit, i arrestuari ka pësuar tri kriza epileptike gjatë qëndrimit në paraburgim, por në vend që t’i jepej ndihma e nevojshme, ai pretendohet se është dhunuar.
“Që nga momenti i arrestimit, Niko Qarkaj është në grevë urie. Ka pësuar tri kriza epileptike dhe, për shkak se nuk ka qenë i vetëdijshëm, është dhunuar në vend që të ndihmohej. Më tregoi edhe këmishën e gjakosur. I kemi paraqitur kërkesë Prokurorisë, pasi një person në këtë gjendje nuk duhet të mbahet në arrest me burg, por ende nuk kemi marrë përgjigje,” deklaroi Serjani.
Ai shtoi se klienti i tij është shoqëruar me ambulancë pas arrestimit, por nuk mban mend çfarë ka ndodhur, duke pretenduar se është kërcënuar dhe dhunuar nga efektivët e policisë.
Avokati bëri me dije se për rastin janë njoftuar Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ndërsa tha se do të ndjekë nga afër gjendjen shëndetësore të klientit të tij.





