Një grua ukrainase, e shpallur në kërkim ndërkombëtar si e dyshuar për një atentat me bombë në Monako, është gjetur e pajetë pranë kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Sipas mediave ukrainase, që citojnë burime nga organet e zbatimit të ligjit, trupi i 39-vjeçares Anastasiia Berezovska u gjet rreth orës 23:00 të së hënës me shenja të plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit.
Berezovska ishte identifikuar si e dyshuara kryesore në një Njoftim të Kuq të Interpolit. Sipas autoriteteve të Monakos, ajo kërkohej për veprat penale të tentativës së vrasjes, vendosjes së një pajisjeje shpërthyese në një vend publik me qëllim kriminal dhe pjesëmarrjes në një organizatë kriminale.
Hetimet lidhen me sulmin e ndodhur javën e kaluar në Monako, ku u plagos biznesmeni me origjinë ukrainase Vadym Yermolaiev, partnerja e tij dhe djali i tyre.
Sipas zëvendësprokurorit të Monakos, e dyshuara u largua fillimisht në këmbë drejt Francës, ndërsa më pas u arratis me makinë përmes disa vendeve evropiane, përfshirë Italinë, përpara se të mbërrinte në Gjermani.
Ndërkohë, media ukrainase Ukrainska Pravda, duke cituar burime nga hetimi, raportoi se dy persona janë ndaluar në lidhje me këtë çështje. Sipas raportimeve, njëri prej tyre është oficer i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Ukrainës, ndërsa tjetri ish-efektiv i organeve të zbatimit të ligjit.
Autoritetet ukrainase dhe ato të Monakos vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së 39-vjeçares, si dhe lidhjen e saj me atentatin e ndodhur në principatë.





