Policia e Himarës ka finalizuar operacionin e koduar “Shuma”, duke arrestuar tre persona të dyshuar për tentativën e grabitjes së një 70-vjeçari në fshatin Borsh.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 12 korrik 2026, kur tre autorët e dyshuar kanë hyrë në banesën e të moshuarit, e kanë mbajtur me dhunë dhe e kanë kanosur me një imitues arme zjarri, konkretisht një pistoletë çakmak, me qëllim vjedhjen e një shume parash.
Pas kallëzimit të bërë nga 70-vjeçari, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë kanë nisur menjëherë veprimet hetimore, duke bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve.
Në pranga kanë rënë:
* E. Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë;
* K. T., 23 vjeç, banues në Vlorë;
* A. C., 19 vjeç, banues në Vlorë.
Nga hetimet ka rezultuar se tre personat kishin mbajtur në vëzhgim banesën e 70-vjeçarit për dy ditë dhe kishin marrë me qira një automjet për të shkuar në vendin e ngjarjes dhe për të kryer grabitjen.
Policia ka sekuestruar edhe automjetin tip “Mercedes-Benz”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.
Nga verifikimet ka rezultuar gjithashtu se 19-vjeçari A. C. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga gjykata për një çështje që lidhet me krime në fushën e narkotikëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





