Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar në Kuvend pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës para Parlamentit, duke kritikuar mënyrën se si, sipas saj, mazhoranca ka reaguar ndaj qytetarëve dhe ndërhyrjen e policisë gjatë tubimit.
Gjatë fjalës së saj, Zhupa iu drejtua kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke e akuzuar për qëndrime të ndryshme nga periudha kur socialistët ishin në opozitë.
“Nuk kalon me një vërejtje ky që i ka hipur policëve mbi koka dhe i ka dhunuar kur ishte në opozitë. Ju jeni mazhorancë hajdutësh dhe frikacakësh”, deklaroi Zhupa.
Deputetja demokrate vijoi akuzat ndaj qeverisë, duke thënë se qytetarët po përballen me vështirësi në shëndetësi, arsim dhe ekonomi, ndërsa sipas saj përgjigjja e mazhorancës është presioni dhe jo dëgjimi i kërkesave të tyre.
Zhupa kritikoi gjithashtu reagimet e disa përfaqësuesve të mazhorancës ndaj protestuesve, duke iu referuar deklaratave të bëra gjatë ditës.
“Keni frikë nga veza. Nuk është klasifikuar veza si armë që sjell pasoja. Vjen ministri dhe u thotë budallenj protestuesve. Ky që paguhet nga taksat e tyre, t’u thuash terrorist, nuk e meriton një vezë?”, u shpreh ajo.
Reagimi i Zhupës vjen në një seancë plenare të tensionuar, pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë jashtë Kuvendit, ndërsa brenda sallës vijojnë debatet mes opozitës dhe mazhorancës.





