Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Gjirokastër, ku një foshnjë vetëm 7 muajshe ka humbur jetën gjatë transportit me urgjencë drejt Spitalit Rajonal “Omer Nishani”.
Sipas burimeve nga Policia e Gjirokastrës, ngjarja ka ndodhur më 21 korrik, kur foshnja është dërguar drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore, por nuk ka mundur të mbijetojë gjatë rrugës.
Pas rastit tragjik, autoritetet kanë nisur hetimet ndaj dy mjekëve pediatër, pas dyshimeve për neglizhencë në trajtimin e foshnjës gjatë dy vizitave mjekësore të kryera gjatë muajit korrik.
Sipas të dhënave paraprake, grupi hetimor po verifikon nëse shërbimi mjekësor i ofruar ka qenë i përshtatshëm dhe në përputhje me gjendjen shëndetësore të foshnjës.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse ka pasur përgjegjësi nga ana e personelit mjekësor.





