Janë zbardhur detaje të reja nga tragjedia që tronditi fshatin Vidhishtë të Roskovecit, ku humbën jetën tre persona pas një sulmi të armatosur që përfundoi me vetëvrasjen e autorit të dyshuar.
Sipas informacioneve të siguruara dhe dëshmive të mbledhura nga hetuesit, rreth orës 05:00 të mëngjesit të së enjtes, 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Nertil Buzi, është futur i armatosur me një armë gjahu në banesën e familjes Plaka.
Në ato momente, bashkëshortët Kosta (Arben) Plaka dhe Belere Plaka po përgatiteshin të niseshin për në punë. Menjëherë pas hyrjes në banesë, autori dyshohet se ka hapur zjarr ndaj tyre. Kosta Plaka humbi jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, mbeti e plagosur rëndë.
Gruaja u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati më shumë se pesë orë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Pas krimit, 35-vjeçari mori me forcë 24-vjeçaren, me të cilën kishte pasur një lidhje prej nëntë vitesh, dhe u largua nga pjesa e pasme e banesës. Ai u drejtua më pas drejt fshatit Kurjan, ku, pas disa orësh ndjekjeje nga forcat e Policisë, liroi të renë, e cila fatmirësisht nuk kishte pësuar lëndime.
Operacioni për kapjen e autorit vijoi për disa orë. Sipas burimeve, negociatat mes efektivëve të Policisë së Shtetit dhe 35-vjeçarit zgjatën rreth shtatë orë, por ai refuzoi të dorëzohej.
Në fund të operacionit, Refit Buzi i dha fund jetës, duke e mbyllur në mënyrë tragjike një ngjarje që la pas tre viktima dhe dy familje të shkatërruara.
Historia, që kishte nisur vite më parë si një lidhje mes dy të rinjve, përfundoi me një nga ngjarjet më të rënda kriminale të muajve të fundit në vend.





