Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja tragjike në fshatin Domen të Shkodrës, ku humbën jetën 24-vjeçarja Bleona Çelaj dhe dy fëmijët e saj të mitur.
Sipas informacioneve paraprake nga vendi i ngjarjes, gjatë hetimeve janë gjetur një bombol gazi dhe një shishe me benzinë. Gjithashtu, dyshohet se në banesën e përfshirë nga flakët mund të kenë ndodhur edhe shpërthime, ndërsa autoritetet po vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkakun e saktë të zjarrit.
Zjarri ka rënë rreth orës 13:10, duke përfshirë plotësisht banesën, ku më pas janë gjetur trupat e pajetë të nënës dhe dy fëmijëve të saj, të moshës 1 vjeç e gjysmë dhe 3 vjeç, mes rrënojave të shtëpisë së shkrumbuar.
Mësohet se familja jetonte në fshatin Golem dhe ishte kthyer nga Gjermania më 15 korrik, vetëm pak ditë para tragjedisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse zjarri ka qenë aksidental apo nëse pas tij fshihet një tjetër pistë hetimi.





