Ish-presidenti Ilir Meta ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të thirret si dëshmitar në procesin ndaj tij në Gjykatën e Posaçme, ndërsa nga kafazi i xhamit ka hedhur akuza të forta lidhur me arrestimin dhe qëndrimin e tij në burg.
Meta deklaroi se prapa procedurave ndaj tij qëndronte ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, duke pretenduar se arrestimi i tij ishte bërë me urdhër të tij.
“Kur iku regjimi i Charles McGonigal nga pushteti. E përmend sepse është i përfshirë në hetimet ndaj meje dhe kjo provohet nga gjykata amerikane, ku verifikohet takimi i paligjshëm me Edi Ramën, kur ai ka marrë 80 mijë dollarë. Më pas hynte nga Kosova, ku edhe atje vendoste gjoba. Qëllimi ishte që, përpara zgjedhjeve, të rrëmbeheshin 86 mandate”, deklaroi Meta.
Gjatë seancës, ish-deputetja Monika Kryemadhi paraqiti para gjykatës disa mesazhe të nxjerra nga telefoni i saj, që lidhen me pretendimet për ndikim të mundshëm në çështjen e futjes së fibrës optike në Shqipëri. Ajo mohoi se ka ndërhyrë për të favorizuar Adrian Shatkun.
“E kam sugjeruar jo për të ushtruar ndikim politik. Përkundrazi, i them: dërgoje kërkesën me shkresë, jo në mënyrë elektronike. Shkresat kanë kaluar në disa institucione dhe ministri. Ma gjeni një mesazh ku t’i kem thënë Haxhinastos: ‘Bëje se të vrava, bëje se të shkarkoj nga puna apo bëje për kaq përfitim’”, tha Kryemadhi.
Për të mbështetur pretendimet e saj, Kryemadhi kërkoi thirrjen e disa dëshmitarëve në proces, mes të cilëve edhe kryeministrin Edi Rama.
Edhe Ilir Meta mohoi akuzat për ndërhyrje, duke deklaruar se ka qenë gjithmonë kundër monopoleve.
Meta: “Është absurde që të ndërhyja për Adrian Shatkun. Unë kam qenë dhe jam kundër monopoleve dhe këtë çështje do ta kisha zgjidhur me ligj në Parlament.”
Pas përfundimit të seancës, Monika Kryemadhi përsëriti qëndrimin e saj se procesi ndaj saj dhe ish-presidentit Meta ka prapavijë politike.
Seanca e radhës është caktuar më 10 shtator, në orën 11:00, ku Kryemadhi pritet të vijojë paraqitjen e argumenteve të saj kundër akuzave.





