Banorët e Selenicës dhe 47 fshatrave përreth kanë vijuar kundërshtimin ndaj reformës së re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Vlorës.
Pas kuvendit të zhvilluar ditën e shtunë, banorët janë rikthyer sërish në protestë këtë të diel, në një tubim paqësor të zhvilluar në fshatin Drashovicë.
Protesta zgjati rreth një orë, ku qytetarët e zonës shprehën shqetësimet e tyre për ndryshimet e propozuara në hartën e re administrative dhe kërkuan që Selenica të vijojë të jetë një njësi më vete vendore.
Gjatë tubimit, banorët paraqitën argumentet e tyre kundër bashkimit me Vlorën, duke theksuar se ky ndryshim mund të ndikojë në përfaqësimin dhe shërbimet ndaj komunitetit.
Ata kanë bërë të ditur se kundërshtimi ndaj reformës territoriale do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, përmes protestave dhe formave të tjera të reagimit qytetar.





