Infrastrukturat e informacionit në Shqipëri kanë qenë nën një presion të vazhdueshëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), gjatë periudhës janar–qershor janë regjistruar mesatarisht 56 tentativa për sulme kibernetike çdo minutë.
Sipas raportit, në shënjestër të sulmeve kanë qenë sektorë strategjikë, si sistemi financiar, administrata publike, infrastruktura digjitale dhe sektori energjetik, duke e bërë sigurinë kibernetike një nga sfidat kryesore për institucionet shqiptare.
Shifrat e publikuara nga AKSK tregojnë se Shqipëria vijon të jetë objektiv i sulmeve të vazhdueshme nga grupe hakerësh, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën në mënyrë të pandërprerë për të rritur mbrojtjen e sistemeve kritike.
Një nga rastet më të fundit ishte ai i sulmeve ndaj Postës Shqiptare dhe Kuvendit të Shqipërisë, të cilat, sipas raportimeve, shkaktuan fshirjen e të dhënave të disa punonjësve të administratës. Këto incidente kanë rikthyer në vëmendje rrezikun e vazhdueshëm që paraqesin kërcënimet kibernetike për institucionet shtetërore.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike thekson se monitorimi i kërcënimeve vijon 24 orë në ditë, ndërsa po merren masa për forcimin e mbrojtjes së infrastrukturave kritike dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemeve të informacionit në vend.





