Kanë hyrë në fuqi që prej 5 gushtit ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të miratuara nga Kuvendi gjatë muajit qershor. Rregullat e reja parashikojnë masa më të ashpra ndaj shkelësve, me fokus të veçantë te drejtuesit që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit.
Sipas ndryshimeve, çdo drejtues automjeti që kapet për herë të dytë me nivel alkooli në gjak mbi 0.5 gram për litër (g/l), pasi është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, do t’i hiqet leja e drejtimit në mënyrë të përhershme.
Masa më të forta janë parashikuar edhe për drejtuesit që organizojnë ose marrin pjesë në gara shpejtësie në rrugë, si dhe për ata që kryejnë manovra të rrezikshme, ndryshojnë vazhdimisht korsinë pa sinjalizim apo shfaqin sjellje agresive që rrezikojnë sigurinë rrugore. Për këto shkelje, gjobat variojnë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Ndryshimet prekin edhe përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit. Nga tashmë ndalohet përdorimi i telefonit të mbajtur në dorë jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për ata që lëvizin me biçikleta dhe motomjete me kubikazh deri në 50 cc.
Rregullat e reja vendosin kufizime edhe për drejtuesit e rinj. Personat që kanë marrë lejen e drejtimit të kategorisë B gjatë dy viteve të fundit do t’i nënshtrohen tolerancës zero ndaj alkoolit. Për ta janë përcaktuar edhe kufij të rinj shpejtësie: maksimumi 90 km/orë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, si dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara.





