Ministria e Financave ka nisur përgatitjet paraprake për emetimin e një Eurobondi të ri gjatë vitit 2027, në një kohë kur qeveria vlerëson se treguesit makroekonomikë të vendit vijojnë të paraqiten pozitivë.
Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, bëri të ditur se gjatë një takimi me përfaqësues të Erste Group janë diskutuar zhvillimet më të fundit ekonomike, planet për huamarrje në tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe bashkëpunimi me partnerët financiarë.
Sipas Yzeirajt, dialogu me institucionet financiare ndërkombëtare ka një rol të rëndësishëm në prezantimin e ecurisë së ekonomisë shqiptare dhe në forcimin e besimit të investitorëve përpara daljes në tregjet ndërkombëtare.
“Me përfaqësuesit e Erste Group, një konglomerat financiar austriak, i përqendruar në Evropën Qendrore dhe Lindore, diskutuam mbi zhvillimet më të fundit makroekonomike; planet tona për huamarrje në tregjet ndërkombëtare të kapitalit; dhe bashkëpunimin e mëtejshëm me partnerët ndërkombëtarë në ekonominë tonë”, deklaroi zëvendësministri.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ekonomia shqiptare u rrit me 3,7% në tremujorin e parë të vitit 2026, ndërsa inflacioni mesatar për gjysmën e parë të vitit u regjistrua në 2,7%, duke qëndruar pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Ndërkohë, papunësia ka zbritur në 8,4%, ndërsa të ardhurat buxhetore dhe aktiviteti ekonomik kanë vijuar trendin pozitiv.
Në këtë kuadër, Ministria e Financave po përgatit daljen e radhës në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, me synimin për të siguruar financim në kushte sa më të favorshme dhe për të mbështetur menaxhimin afatgjatë të borxhit publik.
Sipas institucionit, emetimi i Eurobondit nuk shërben vetëm për sigurimin e burimeve financiare për buxhetin e shtetit, por edhe për ruajtjen e pranisë së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare dhe forcimin e besimit të investitorëve.
Shqipëria realizoi emetimin e fundit të Eurobondit më 11 shkurt 2025, duke dalë për herë të shtatë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. Instrumenti u emetua në vlerën 650 milionë euro, me një kupon prej 4,75% dhe një yield prej 5%, me afat maturimi 10-vjeçar dhe shlyerje të parashikuar në shkurt të vitit 2035.
Sipas Ministrisë së Financave, kushtet e arritura në emetimin e fundit u mbështetën nga përmirësimi i vlerësimit të kreditit të Shqipërisë, administrimi i financave publike, rritja ekonomike e qëndrueshme dhe vlerësimet pozitive nga institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionin Evropian.





