Tetë punonjës të sigurisë në IEVP Fier janë pezulluar nga detyra pas konfliktit të regjistruar të shtunën në ambientet e përbashkëta të burgut, ku u përfshinë të dënuarit Denis Bajri, Aldo Gjini dhe Jurgen Zoto.
Të pezulluarit janë kryeinspektori dhe shtatë gardianë, të cilët ndodheshin në turn gjatë kohës kur ndodhi konflikti.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pezullimi do të vijojë deri në përfundimin e hetimeve dhe vlerësimit nga organet kompetente lidhur me zbatimin e detyrave funksionale nga punonjësit e policisë së burgut. Gjatë periudhës së pezullimit, punonjësit do të marrin gjysmën e pagës.
Kush janë 8 efektivët e pezulluar?
Sipas njoftimit:
1. K/Inspektor G.B. – përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;
2. Inspektor Sh.H. – përgjegjës turni në regjimin e brendshëm;
3. Inspektor A.A. – punonjës i rolit bazë;
4. Inspektor D.GJ. – punonjës i rolit bazë;
5. Inspektor A.H. – punonjës i rolit bazë;
6. Inspektor P.K. – punonjës i rolit bazë;
7. Inspektor S.Ç. – punonjës i rolit bazë;
8. Inspektor A.S. – punonjës i rolit bazë.
Dyshimet për sulmin ndaj Bajrit
Hetuesit dyshojnë se sulmi ndaj Denis Bajrit mund të ketë qenë një mesazh i lidhur me konfliktet e tij me persona të tjerë nga Shkodra. Në përleshje mbeti i plagosur edhe Jurgen Zoto, i cili dyshohet se u godit me një thikë artizanale.
Pas ngjarjes, Zoto u transferua në burgun e Burrelit, ndërsa Aldo Gjini u transferua në Drenovë, ku është vendosur në izolim për tre muaj.
Pezullimi i tetë efektivëve pritet të shërbejë për të verifikuar nëse punonjësit e sigurisë kanë përmbushur detyrimet e tyre funksionale gjatë momentit kur ndodhi konflikti.





