Shoqatat e transportit publik kanë paralajmëruar reduktimin e flotës urbane nëse deri në fillim të javës së ardhshme nuk marrin një përgjigje lidhur me kompensimin e karburantit.
Përfaqësuesit e operatorëve thonë se vonesa e pagesave për muajt mars, prill dhe maj po rëndon ndjeshëm financat e kompanive. Qeveria ka miratuar kompensimin prej 50 lekësh për litër karburant, por sipas operatorëve, edhe pse dokumentacioni është plotësuar, fondet ende nuk janë disbursuar.
Shoqatat Kombëtare të Transportit Urban dhe Interurban u janë drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pushtetit vendor dhe Bashkisë Tiranë, duke kërkuar informacion për arsyet e vonesës dhe përcaktimin e një afati konkret për kryerjen e pagesave.
Operatorët deklarojnë se gjatë kësaj periudhe kanë vijuar të përballojnë me fondet e tyre kostot e aktivitetit, ndërsa çmimi i karburantit mbetet i lartë.
Kërkohet vijimi i kompensimit
Përveç pagesës së kompensimit për tre muajt e kaluar, shoqatat kërkojnë që skema e mbështetjes financiare të vijojë edhe pas muajit maj, për sa kohë çmimet e karburantit mbeten në nivele të larta.
Sipas operatorëve, nëse nuk gjendet një zgjidhje, reduktimi i numrit të mjeteve urbane në qarkullim do të ndikonte drejtpërdrejt në frekuencën e autobusëve dhe kapacitetin e transportit publik.
Shoqatat kërkojnë ndërhyrje urgjente për disbursimin e kompensimit të miratuar, si dhe një vendim për vijimin e mbështetjes financiare për sektorin e transportit publik.





