Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se Belinda Balluku është de facto drejtuese e Partisë Socialiste.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se Rama “mund të mundohet sa të dojë”, ndërsa sipas tij as Aleks Soros nuk mund ta ndihmojë më atë që e cilësoi si një “kufomë politike të pakallur”.
Berisha paralajmëroi gjithashtu një vjeshtë me “temperatura të larta politike”.
“Lubi Balluku de facto është qeverisja e PS-së, drejtuesja e saj. Ua kam thënë edhe njëherë, po të lexoni veprën e pavdekshme të Heminguejt, aty ndër personazhet janë edhe Pablo dhe Pilari. Pablo është ish-komandanti që ka degraduar plotësisht dhe urdhrat dhe vendimet i merrte vetëm Pilari. De facto është e njëjta situatë në qeverinë shqiptare”, deklaroi Berisha.
Më tej, kreu i PD-së pretendoi se Balluku ka folur për përfshirjen e Ramës në dosje të ndryshme.
“Në një mbledhje të ngushtë, Lubia i thotë Ramës përsëri se në çdo ndjekje time penale, në çdo dosje të ndjekjes time penale, 60 përqind është e jotja. Kjo është e vërteta. Domethënë, po shkova, do të marr me vete. E pamëshirë!”, tha ai.
Berisha vijoi me akuza ndaj kryeministrit lidhur me ministrat dhe zyrtarët e qeverisë.
“Ka bllokuar heqjen e ministrave që emëroi, të cilët janë përgjegjës në një seri dosjesh të Lubisë se i kishte jo shefa kabineti, jo drejtorë, etj me radhë. Pra, lëshimet nuk u bënë”, u shpreh kreu i PD-së.
Në fund, Berisha përmendi edhe pretendime për ekzistencën e regjistrimeve, duke theksuar se nuk i paraqet ato si fakte të konfirmuara.
“Gojët e liga, që nuk duhet t’i përmendim, duan të thonë se me Oltion Bistrin regjistrime i janë bërë edhe Lindës së Surrelit. Tani këtë mos e merrni për të qenë, unë them se çfarë thuhet, por ka të dhëna… aty ku ka zë, nuk është pa gjë, thotë populli”, deklaroi Berisha.





