Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si po përballet me situatën e zjarreve në vend, duke akuzuar mazhorancën se nuk ka krijuar kapacitetet e nevojshme për emergjencat.
Në një deklaratë për mediat, Balliu tha se flakët kanë rrezikuar banorë dhe prona, ndërsa zjarrfikësit po përballen me vatra të zjarrit pa pajisjet dhe mjetet e nevojshme.
Në qendër të kritikave të tij ishin edhe shpenzimet që deputeti pretendon se janë bërë për aktivitete dhe koncerte, duke përmendur në mënyrë specifike koncertin e Kanye West.
“Edi Rama ka gjetur miliona euro për koncerte, spektakle, kopshte dhe instalacione idiotëske, ndërkohë që zjarret i lufton me lopata dhe me zjarrfikëse të viteve ’70, që rrjedhin ujë pa arritur te zjarri”, deklaroi Balliu.
Sipas tij, rreth 4 milionë eurot e shpenzuara për koncertin do të mund të përdoreshin për modernizimin e shërbimit zjarrfikës.
“Rreth 4 milionë eurot për Kanye West do të ishin shumë sot një investim jetik për zjarrfikësit, për pajisje moderne dhe për krijimin e kapaciteteve reale kundër zjarreve”, u shpreh deputeti demokrat.
Balliu vijoi kritikat duke bërë një krahasim mes mjeteve të përdorura nga policia gjatë protestave dhe kapaciteteve të emergjencave për përballimin e zjarreve.
“Edi Rama dhe Besfort Lamallari gjejnë makina me ujë kur duhet të përballen me protestuesit, por nuk gjejnë makina me ujë kur Shqipëria përfshihet nga flakët”, deklaroi ai.
Deputeti i PD-së sulmoi gjithashtu kryeministrin Rama për qëndrimin e tij në Dhërmi dhe takimin me Alex Soros.
“Shqipëria po digjet, nga cepi në cep, ndërsa Edi Rama shëllehet në Dhërmi, ku ka marrë Alex Sorosin që ta ndihmojë të shuajë flakët që protesta qytetare i ka vënë qeverisë së tij”, tha Balliu.
Në fund, Balliu prezantoi edhe propozimin e PD-së për menaxhimin e emergjencave, në rast se partia e tij merr drejtimin e vendit.
Sipas tij, demokratët do të hartojnë një “Paketë të Plotë për Emergjencat”, e cila do të përfshijë një program të posaçëm për përballimin e zjarreve dhe rritjen e financimit për strukturat e emergjencave.





