Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se konsultimet për reformën territoriale janë një “farsë”, duke iu referuar takimit të zhvilluar në Kuç të Vlorës me kryetarët socialistë të bashkive.
Kedhi komentoi edhe përplasjen e Ramës me kryetarin e Bashkisë Poliçan dhe nxjerrjen e tij nga takimi, duke pretenduar se mbledhja e kryebashkiakëve nuk u zhvillua në frymën e një konsultimi, por u shndërrua në përplasje.
“Dje, në Kuç të Vlorës, Edi Rama mblodhi kryetarët socialistë të bashkive që ka vendosur t’i shkrijë, si pjesë e hartës elektorale që ai quan Reformë Territoriale. I kishte thirrur për konsultë, por shpejt ‘seanca konsultative’ u kthye në sesion kërcënimesh dhe sharjesh. Disa kryetarë bashkish u nxorën jashtë. Kështu i koncepton dëgjesat Edi Rama”, deklaroi Kedhi.
Sipas tij, kundërshtimi ndaj reformës territoriale po shtrihet edhe te qytetarët dhe strukturat vendore, përfshirë bashki të drejtuara nga socialistët.
“Në Poliçan, në Selenicë, në Divjakë, në Dimal dhe në komunitete të tjera, qytetarët po kuptojnë se nuk janë të dënuar të pranojnë çdo vendim që vjen nga Tirana. Po kundërshtojnë. Po protestojnë. Po flasin. Po vrasin frikën”, tha ai.
Kedhi pretendoi se kundërshtimi nuk vjen vetëm nga opozita, por edhe nga qytetarë që votojnë Partinë Socialiste.
“Qytetarët, përfshirë dhe socialistë, po e refuzojnë autokracinë, arrogancën dhe përbuzjen që ai shfaq për ta. Disa këshilla bashkiakë kanë votuar unanimisht kundër shkrirjes”, u shpreh nënkryetari i PD-së.
“Ky nuk është konsultim”
Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së tij, Kedhi ia kushtoi mënyrës se si qeveria po zhvillon konsultimet për ndryshimin e hartës territoriale.
“Pas gjithë kësaj, propaganda qeveritare na thotë se Edi Rama ‘ka nisur konsultimet’. Konsultimet për çfarë? Për një hartë elektorale që e ka bërë pa pyetur kënd? Për bashki që i ka shpallur publikisht se do t’i shkrijë? Për një vendim politik që ua ka urdhëruar komuniteteve dhe tani kërkon prej tyre ta pranojnë?”, deklaroi ai.
Sipas Kedhit, konsultimi duhet të zhvillohet përpara marrjes së vendimit dhe mendimi i qytetarëve duhet të ketë ndikim real.
“Ky nuk është konsultim. Konsultimi nuk bëhet për të bindur qytetarin për një vendim të marrë më parë. Konsultimi bëhet që mendimi i qytetarit të ndikojë te vendimi”, tha ai.
Duke iu referuar Kushtetutës dhe Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore, Kedhi argumentoi se ndryshimet në kufijtë e njësive vendore duhet të paraprihen nga konsultimi me komunitetet dhe autoritetet vendore.
PD: “Decentralizim, jo përqendrim pushteti”
Kedhi prezantoi gjithashtu qëndrimin e Partisë Demokratike për organizimin e pushtetit vendor.
“Partia Demokratike ka një koncept krejt tjetër për pushtetin vendor. Ne besojmë te decentralizimi i kompetencave dhe financiar, jo te përqendrimi i pushtetit. Te bashkitë dhe shërbimet pranë qytetarit, jo te bashkitë gjigante larg tij. Te komuniteti që vendos për veten dhe ruan identitetin e vet, jo te Kryeministri që vendos për çdo komunitet”, u shpreh ai.
Në përfundim, Kedhi tha se PD do të qëndrojë në krah të komuniteteve që kundërshtojnë ndryshimet e propozuara në hartën territoriale.
“Dje në Kuç nuk pamë forcën e Edi Ramës. Pamë panikun e dordolecit në krye të arës që nuk tremb më askënd”, deklaroi nënkryetari i PD-së.





