Flakët përfshinë zonën në Fier, zjarrfikësit dhe banorët ndërhynë për izolimin e vatrës
Vatra e zjarrit në masivin pyjor të Peshtanit në Fier është neutralizuar pas ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencave.
Në ndihmë të ekipeve kanë qenë edhe banorët e zonës, ndërsa ndërhyrja në kohë ka bërë të mundur izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre në sipërfaqe të tjera.
Sipas bilancit paraprak, nga zjarri është djegur një kasolle e braktisur, ndërsa flakët kanë përshkuar rreth 7 dynymë me shkurre.
Pas neutralizimit të vatrës, forcat zjarrfikëse vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e zjarrit.





