Të paktën gjashtë shtëpi janë përfshirë nga zjarri në Stourbridge, në Anglinë qendrore, ndërsa zjarrfikësit po vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll një zjarr të madh që nisi në bimësinë e thatë pranë një fushe golfi.
Flakët u përhapën me shpejtësi në zonën përreth, duke detyruar banorë të largohen nga banesat e tyre. Sipas raportimeve të fundit, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 40 hektarësh, ndërsa situata është komplikuar nga temperaturat e larta dhe kushtet e thata.
Fillimisht në terren u angazhuan rreth 60 zjarrfikës, ndërsa operacioni u përforcua më tej me ekipe shtesë. Shërbimi i Zjarrfikësve të West Midlands e ka cilësuar ngjarjen si një prej incidenteve më serioze të viteve të fundit në rajon.
Ndërkohë, disa persona janë prekur nga tymi dhe nxehtësia. Raportimet më të fundit bëjnë të ditur se një fëmijë dhe tre zjarrfikës janë dërguar në spital, ndërsa gjashtë persona të tjerë janë trajtuar për thithje tymi.
Zjarri shpërtheu të enjten pasdite, në një ditë kur temperaturat në pjesë të Anglisë arritën deri në 38.1°C, duke rritur ndjeshëm rrezikun e përhapjes së zjarreve në zonat me bimësi të thatë. Autoritetet vijojnë punën për shuarjen e plotë të vatrave dhe parandalimin e riaktivizimit të flakëve.





