Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ndaj kritikave nga Evropa dhe Prishtina për deklaratën e tij lidhur me zhvendosjen e lumit Ibër, duke thënë se ideja ishte kërkuar më herët nga Komuna e Novi Pazarit dhe organizata të këtij qyteti.
Gjatë një vizite në fshatin Veliki Popovic, në komunën e Despotovacit, Vuçiç deklaroi se ekziston dokumentacion para-projektues për këtë çështje dhe se javën e ardhshme pritet të formohet një grup ekspertësh që do ta shqyrtojë atë.
Sipas tij, propozimi lidhet me ndërtimin e një hidrocentrali të vogël pranë Ribariçit.
“Ata që reagojnë negativisht ndoshta fillojnë nga vetja dhe mendojnë se dikush po bën diçka kundër dikujt”, tha Vuçiç, duke iu përgjigjur reagimeve negative ndaj njoftimit për Ibrin.
Vuçiç sulmon Kurtin
Presidenti serb foli edhe për rastin e Nenad Rashkoviqit, nga fshati Dren pranë Zubin Potokut, i cili pretendon se është dhunuar nga policia e Kosovës.
Vuçiç tha se Rashkoviqit i janë thyer dy brinjë dhe se ai ka “dhimbje shumë të forta”, ndërsa shtoi se beson se familjarët e tij do të mund ta vizitonin në Beograd për trajtim.
“Nuk kam asnjë koment për hipokrizinë e evropianëve dhe të gjithë të tjerëve. Shpina e Nenad Rashkoviqit është fytyra e Kryeministrit në detyrë të Kosovës Albin Kurtit”, deklaroi Vuçiç.
Ai akuzoi gjithashtu Kurtin se nuk ka qenë asnjëherë i interesuar për dialog.
“Gjithmonë do t’ua shtrijmë dorën”
Duke folur për përvjetorin e djegies së zyrave të Partisë Progresive Serbe në Novi Sad, Vuçiç tha se shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë një viti.
“Ata mund të kërcënojnë dhe të bëjnë thirrje për dhunë, por dyshoj se dikush dëshiron dhunë”, u shpreh ai.
Vuçiç shtoi se beson se një pjesë e mirë e kundërshtarëve të tij mezi presin përfundimin e zgjedhjeve, për të kuptuar rezultatin dhe për t’u rikthyer, sipas tij, në normalitet.
“Mendoj se një pjesë e mirë e tyre mezi presin të mbarojnë zgjedhjet, që të kuptojnë se do të humbasin përsëri, dhe që ne të fillojmë të jetojmë dhe të punojmë normalisht pas kësaj, dhe t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit. Ne gjithmonë do t’i shtrijmë dorën”, tha presidenti serb.
Ndërkohë, duke folur për turneun e tij në Serbinë jugperëndimore gjatë së hënës dhe së martës, Vuçiç tha se një ose dy kryetarë bashkish i kishin kërkuar që në tubimet ku merrte pjesë, qytetarët të bënin vetëm pyetje me të cilat ishin dakord.





