Një 49-vjeçar nga Kosova, B.B., nga Nerodimja e Poshtme e Ferizajt, është arrestuar në pikën kufitare të Karasoviqit, në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi.
49-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia. Mediat kroate raportuan se ai dyshohet për krime lufte.
Lidhur me rastin ka reaguar nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, i cili deklaroi për Klankosova.tv se, sipas verifikimeve fillestare, personi i arrestuar nuk figuron në listat e veteranëve të UÇK-së.
“Për personin për të cilin ju po interesoheni, bazuar në verifikimet që kam bërë deri më tani, nuk figuron në listat e zonës së Nerodimës. Po ashtu, kam hulumtuar edhe në zonën e Kosharës dhe as aty nuk ka ndonjë person me këtë emër”, deklaroi Syla.
Ai shtoi se, bazuar në të dhënat e siguruara deri tani, “99 për qind personi nuk është veteran i UÇK-së dhe nuk ka përfituar certifikatë të veteranit”.
Syla bëri të ditur gjithashtu se ka kontaktuar edhe me kryetarin e OVL-UÇK-së në Ferizaj, por as aty nuk është gjetur ndonjë e dhënë që e lidh të arrestuarin me listat e veteranëve.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pritet të vazhdojë verifikimet për të sqaruar plotësisht nëse personi i arrestuar ka pasur apo jo ndonjë lidhje me UÇK-në.
Arrestimi i tij është bërë në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, ndërsa autoritetet pritet të vijojnë procedurat lidhur me akuzat për të cilat ai kërkohet.





