Richard Grenell ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke e akuzuar për dështim në qeverisje, luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e bllokadave politike.
Në një deklaratë për “Gazetën Express”, Grenell tha se kriza politike në Kosovë është pasojë e veprimeve të Kurtit dhe se, sipas tij, ai nuk ka aftësinë për të drejtuar një qeveri.
Ish-i dërguari amerikan për dialogun Kosovë–Serbi deklaroi gjithashtu se vendet perëndimore nuk dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunimin me Kurtin, duke e akuzuar atë se “vetëm ankohet dhe krijon bllokada”.
Grenell foli edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Hagë. Ai u shpreh në favor të lirimit të Thaçit dhe pretendoi se Perëndimi do ta mirëpriste kthimin e tij në Kosovë.
Deklaratat e Grenell vijnë në një periudhë të ngërçit politik dhe institucional në Kosovë, ndërsa procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së në Hagë vijon.




