Një aksident tragjik ujor ka ndodhur pasditen e sotme në zonën e Rrjollit, ku një 24-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga një gomone dhe është goditur nga helika e motorit.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:15, në zonën e lundrimit, midis Rrjollit dhe Ranës së Hedhun.
Në bordin e mjetit lundrues gomone ndodheshin tre persona. Për shkaqe ende të paqarta, njëri prej tyre ka rënë në ujë dhe është dëmtuar rëndë nga helika e motorit të gomones.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
I riu, i identifikuar si Klaus Gjergji, rreth 24 vjeç, është transportuar fillimisht nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe më pas me autoambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 24-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Grupi hetimor po vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit tragjik.





