Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, me inicialet V.H. dhe A.K., të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, lidhur me një rast të pretenduar për organizimin e një transplanti të veshkës.
Sipas aktakuzës, V.H. dyshohet se gjatë periudhës 2021–2023 është paraqitur në mënyrë të rreme si mjek në specializim në një spital në Turqi dhe i ka premtuar një personi se do t’i mundësonte kryerjen e transplantimit të veshkës.
Përmes kësaj skeme, sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari, duke pretenduar se ato do të përdoreshin për shpenzime spitalore dhe procedurat që lidhen me transplantimin.
Prokuroria pretendon gjithashtu se në këtë rast janë përdorur në mënyrë të rreme të dhëna, dokumente dhe emra të mjekëve të një spitali në Turqi, me qëllim krijimin e bindjes se procedura e transplantimit do të realizohej.
Si pasojë e kësaj skeme të dyshuar, i dëmtuari dyshohet se ka pësuar dëm material prej 134,761 eurosh.
Ndërkohë, A.K. dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e mashtrimit, duke e prezantuar V.H. si mjek dhe duke krijuar besim te i dëmtuari për aftësinë e tij për të organizuar transplantimin e veshkës.
Prokuroria ka bërë të ditur se procedura ndaj personit tjetër të përfshirë në rast, i cili dyshohet se ishte paraqitur si dhurues i veshkës, është veçuar.
Me ngritjen e aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.





