Teksa policia kriminale vijon kërkimet për Daniel Gjanën dhe Bekim Bulicën, të dyshuar për përfshirjen në vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, hetimet kanë nxjerrë në pah edhe një tjetër çështje që lidhet me pronësinë e tokës ku operonte lokali i natës “Principotes”.
Sipas dokumenteve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, ndaj subjektit privat “Principotes” është depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Sarandës, lidhur me pretendimet për pushtim dhe dëmtim të pronës private.
Pretendimet për 8800 metra katrorë tokë
Kallëzimi është depozituar nga përfaqësues të trashëgimtarëve të Selfo Çoçolit, të cilët pretendojnë se janë pronarët legjitimë të një sipërfaqeje prej 8800 metrash katrorë në zonën e Ksamilit.
Sipas dokumenteve të paraqitura, prona është fituar përmes vendimit nr. 321, datë 9 gusht 1996, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Në dokumentacion përcaktohet se sipërfaqja prej 8800 metrash katrorë është pasuria me nr. 2297 dhe kufizohet në veri me pasurinë 5/445, në lindje me dy rrugë, në jug me dy rrugë dhe në perëndim me pasuritë me nr. 5/284 dhe 5/198.
Sipas hartës shpjeguese të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, prona kufizohet gjithashtu në veri me detin Jon, ndërsa në lindje, jug dhe perëndim me truall shtetëror dhe rrugë automobilistike.
Pretendimi: “Principotes” ka zaptuar pronën
Në kallëzim pretendohet se dokumentet arkivore e paraqesin sipërfaqen si pronë të lirë, ndërsa verifikimet në terren kanë treguar se një pjesë e konsiderueshme e saj është zënë dhe shfrytëzuar nga subjekti privat “Principotes”.
Subjekti ushtron aktivitet në fushën e bar-kafe, restorant, hotel, mirëmbajtje plazhi, klub dhe parking.
Trashëgimtarët pretendojnë se subjekti privat ka ndërtuar mbi truall dhe ka vijuar me gërmime për krijimin e një hapësire që synohet të përdoret si parking.
Në kallëzim thuhet se pronarët pretendojnë se nuk kanë mundur të gëzojnë pronën e tyre, pasi ajo është zaptuar nga subjekti privat, dhe kërkojnë nga Prokuroria e Sarandës të verifikojë se mbi çfarë lejeje operon “Principotes” në këtë sipërfaqe.
Prokuroria e Sarandës nën akuzë për mosveprim
Sipas dokumenteve të cituara në material, kallëzuesit pretendojnë se Prokuroria e Sarandës nuk ka kryer verifikime konkrete për të përcaktuar nëse janë konsumuar veprat penale të “Shkatërrimit të pronës” dhe “Pushtimit të pronës private”.
Ata kërkojnë gjithashtu të sqarohet dokumentacioni mbi të cilin subjekti privat ushtron aktivitetin dhe mënyra se si është lejuar ndërtimi dhe përdorimi i kësaj sipërfaqeje.
Në dokumentacionin e paraqitur nga trashëgimtarët argumentohet se vendimi nr. 321 i vitit 1996 për kthimin e pronës, nëse nuk është ankimuar brenda afateve ligjore, ka marrë formë të prerë dhe është i detyrueshëm për subjektet.
Ndërkohë, pretendimet për pronësinë e tokës dhe ligjshmërinë e aktivitetit të “Principotes” mbeten për t’u verifikuar nga organet kompetente.
Çështja e pronësisë merr rëndësi të veçantë në një kohë kur lokali është vendosur në qendër të hetimeve pas vrasjes së turistit portugez në Ksamil, ndërsa pronari i tij, Bekim Bulica, është shpallur në kërkim nga policia.





