Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e djeshme në Vlorë, ku një 50-vjeçar është dhunuar fizikisht nga tre persona.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në lagjen “10 Korriku”, ku 34-vjeçari Indrit Halili, së bashku me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar, për motive ende të paqarta, kanë goditur dhe dhunuar fizikisht shtetasin M. Kapaj, 50 vjeç, banues në Vlorë.
Si pasojë e dhunës, 50-vjeçari ka marrë disa dëmtime në pjesën e ballit dhe është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ka marrë ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit 34-vjeçarin Indrit Halili, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e dy personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të konfliktit.





