34.8 C
Tiranë
Friday, August 21, 2026

Masakra në Vidhisht/ Dy denoncime për kërcënimet ndaj Refit Buzit, si u lirua nga burgu para tragjedisë

Masakra e ndodhur në korrik 2026 në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Nertil alias Refit Buzi vrau me armë gjahu ish-vjehrrin Kosta Plaka dhe ish-vjehrrën Belere Plaka, përpara se të vriste edhe veten gjatë rrethimit nga policia dhe forcat RENEA, rezulton të ketë pasur sinjale alarmi disa muaj më herët.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore, para tragjedisë së rëndë, ndaj Refit Buzit ishin bërë dy denoncime nga ish-e fejuara e tij, Rosalinda Plaka, e cila kishte paralajmëruar policinë për kërcënime serioze dhe për frikën se ai mund ta vriste.

Në denoncimet e saj, ajo kishte deklaruar se Buzi e kërcënonte me fjalët:

“Do të vras nëse ndahesh prej meje…”

dhe:

“Nuk ke për të jetuar asnjë ditë e qetë nëse të shoh me dikë tjetër…”

Arrestimi në nëntor 2025

Sipas dosjes, më 17 nëntor 2025, rreth orës 19:00, policia mori njoftim se një grua në Bulevardin “Bajram Curri” në Tiranë kërkonte ndihmë, pasi ishte kanosur me armë nga ish-i dashuri i saj, Refit Buzi.

Policia e lokalizoi dhe e arrestoi atë. Në momentin e arrestimit, Buzi deklaroi se arma ishte një pistoletë lodër.

Megjithatë, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, në autostradën Tiranë-Elbasan, pranë daljes së parë pas tunelit, u gjet një send plastik i dëmtuar dhe i çmontuar, në dukje armë.

Pas hetimeve, ndaj Buzit u ngritën akuzat për “Përndjekje” dhe “Kanosje”.

Prokurori e cilësoi atë si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke argumentuar se veprat për të cilat dyshohej paraqisnin rrezikshmëri të theksuar.

“Do ta shkrep armën”

Në dëshminë e saj, Rosalinda Plaka ka treguar se Refit Buzi e përndiqte dhe e kërcënonte vazhdimisht, duke i shkaktuar ankth dhe frikë.

Ajo ka deklaruar se rreth dy muaj para denoncimit, ish-i fejuari kishte hapur një adresë false në rrjetet sociale me fotografitë e tyre dhe e kishte kërcënuar.

Sipas saj, kur ishin takuar, Buzi e kishte futur në makinë dhe e kishte kërcënuar për shkak të ndarjes. Ajo ka deklaruar gjithashtu se ai kishte tentuar ta çonte me forcë në një hotel.

Situata, sipas dëshmisë, ishte përshkallëzuar edhe me kërcënime ndaj familjarëve të saj.

Një nga episodet e përshkruara në dosje ka ndodhur më 17 nëntor 2025, kur Buzi është shfaqur pranë banesës së Rosalindës.

Sipas dëshmisë së kunatës së saj, K.K., ai i është drejtuar Rosalindës me fjalët:

“Për kokë të Malos do ta shkrep…”

Më pas, sipas dëshmisë, ai e ka kapur nga krahu dhe ka ngritur xhupin për t’i treguar armën.

Kërcënimet me publikimin e videove intime

Në dosje përmenden edhe kërcënime për publikimin e materialeve intime.

Rosalinda ka deklaruar se Buzi i kishte dërguar video intime dhe e kishte kërcënuar se do t’i publikonte në rrjetet sociale. Sipas saj, ai i dërgonte çdo ditë mesazhe ofenduese dhe kërcënuese.

Ajo ka treguar gjithashtu se kishte njoftuar familjarët e Buzit për situatën. Ata i kishin thënë se nuk kishin dijeni që ai ndodhej në Tiranë, pasi u kishte deklaruar se ishte nisur për në Kosovë.

Familjarët i kishin kërkuar të mos bënte denoncim, duke i thënë se do të flisnin me të që të mos e shqetësonte më.

Por, sipas dosjes, pas këtij komunikimi, Buzi e kishte telefonuar dhe kërcënuar sërish.

Edhe vëllai i Rosalindës ishte kërcënuar

Në dëshminë e tij, vëllai i Rosalindës ka deklaruar se motra e tij kishte pasur një lidhje tetëvjeçare me Buzin dhe se ai e kërcënonte për të mos u ndarë.

Sipas tij, Buzi e kishte kontaktuar më 16 nëntor 2025 dhe i kishte kërkuar të takoheshin, duke i thënë se nëse ajo nuk shkonte, do të vriste veten.

Një ditë më pas, ai ishte informuar nga motra për episodin pranë banesës.

Në dosje përmendet edhe një tjetër episod i 16 nëntorit, kur Buzi kishte shkuar në lokalin ku punonte Rosalinda dhe, sipas saj, i kishte thënë:

“Nëse nuk vjen të më takosh do bëj ekstremin në lokal…”

Apeli e la në burg, por më pas doli i lirë

Pas arrestimit, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj Refit Buzit.

Ai e apeloi vendimin dhe kërkoi një masë më të butë sigurie, si arresti në shtëpi ose detyrimi për paraqitje.

Por më 22 dhjetor 2025, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi të lërë në fuqi masën “arrest në burg”.

Megjithatë, nuk dihet ende saktësisht se në çfarë rrethanash Buzi doli më pas nga burgu. Në të dhënat e bëra publike pretendohet se një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës mund t’i ketë ndryshuar masën e sigurisë dhe ta ketë liruar.

Kjo pjesë e historisë mbetet për t’u sqaruar përmes dokumentacionit gjyqësor.

Tragjedia që ndodhi disa muaj më vonë

Disa muaj pas këtyre episodeve, emri i Refit Buzit u rikthye në qendër të vëmendjes pas masakrës në Vidhisht të Roskovecit.

Sipas të dhënave të bëra publike për ngjarjen, Buzi vrau me armë gjahu ish-vjehrrin Kosta Plaka dhe ish-vjehrrën Belere Plaka, ndërsa më pas vrau veten teksa ishte rrethuar nga forcat e policisë dhe RENEA-s.

Dokumentet e dosjes së mëparshme ngrenë pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si u trajtuan denoncimet dhe masat e sigurisë ndaj tij, ndërsa pritet që hetimet të sqarojnë edhe përgjegjësitë institucionale nëse rezulton se sinjalet e dhëna më herët nuk janë trajtuar siç duhet.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Nga ortakëria me Selmanllarin te “Principotes” në Ksamil, si lidhet në dokumente emri i...

0
Në jug të vendit, aty ku toka është kthyer në një nga asetet më të shtrenjta të Shqipërisë, historia e pronave po ecën paralelisht...

Zjarri në Dukat vijon të jetë aktiv, në terren angazhohen dy avionë dhe 40...

0
Zjarri që ka nisur mbrëmjen e djeshme në zonën e Dukatit, në Vlorë, vijon të jetë aktiv, ndërsa strukturat e emergjencave janë angazhuar për...

Refuzoi martesën me komandantin 70-vjeçar, 17-vjeçarja afgane dyshohet se kaloi 21 muaj në burgun...

0
Rasti i një adoleshenteje afgane, e cila raportohet se ka kaluar 21 muaj në një burg të kontrolluar nga talebanët pasi kundërshtoi martesën me...

Dy të shtëna pranë banesës/ Pjerin Bitani plagos me armë Vladimir Bruçin në Shkodër

0
Personi që shihni në foto është Pjerin Bitani, i dyshuari si autor i plagosjes me armë zjarri të Vladimir Bruçit në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur...

“Ishte si një motër për mua”/ Dhimbje për 26-vjeçaren italiane që humbi jetën në...

0
Është kryer në Tiranë autopsia e trupit të Sara Brugnatellit, 26-vjeçares italiane nga Zocco, një lagje e Erbuscos, e cila humbi jetën në një...